Si një platformë që mundëson dialogun publik-privat, KKEI është e nderuar të njoftojë një ndryshim të rëndësishëm rregullator në sektorin farmaceutik të Kosovës, pas diskutimeve produktive dhe rekomandimeve në forumet tona sektorale. Ky rezultat thekson fuqinë e dialogut bashkëpunues ndërmjet palëve publike dhe private për të sjellë ndryshime të rëndësishme.
Kërkesa ekzistuese për një leje eksporti (leja L-04) nga Agjencia e Barnave të Kosovës (ABK) po shkaktonte vonesa të panevojshme për kompanitë eksportuese. Kjo çështje u ngrit nga kompanitë private gjatë forumit sektorial, për një leje që ato duhej ta merrnin nga KMA - një proces që mund të kishte zgjatur me javë, e që ishte vonesë e panevojshme.
Në një propozim konstruktiv gjatë forumit sektorial, pjesëmarrësit sugjeruan që, duke marrë parasysh që ligji nuk kërkon në mënyre eksplicite një leje eksporti për produktet mjekësore që nuk janë nën kontroll, ABK duhet të ndryshojë praktikën e saj aktuale dhe të njoftojë Doganën e Kosovës që marrja e kësaj leje nuk duhet të jetë e nevojshme. Si pasojë, kjo kërkesë mund të hiqet nga sistemi "Barnatari".
Jemi të gëzuar të raportojmë se, pas një diskutimi konstruktiv ndërmjet Doganës së Kosovës dhe ABK, kjo e fundit ka pranuar këtë propozim. Më 21 maj, ABK ka nxjerrë një vendim formal, duke hequr kërkesën për leje eksporti për produktet mjekësore që nuk janë nën kontroll.
Ky vendim është një dëshmi e efikasitetit të platformës së dialogut publik-privat në adresimin dhe zgjidhjen e sfidave të industrisë.
Në vazhdim, heqja e kërkesës për leje eksporti do të:
· Përshpejtojë procesin e eksportit duke eliminuar vonesat administrative.
· Reduktojë barrën operative për eksportuesit farmaceutikë.
· Rrisë konkurrueshmërinë e prodhuesve të produkteve mjekësore të Kosovës në tregun global.
Të nxitur nga rezultate të tilla pozitive, vazhdojmë të punojmë drejt identifikimit dhe zgjidhjes së pengesave rregullatore që ndikojnë në rritjen e industrisë. Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë përfaqësuesit që kanë kontribuar vazhdimisht në diskutimet gjatë forumeve sektorale, ABK-në dhe Doganën e Kosovës për veprimet e shpejta dhe vendimmarrëse, Shefin e Shtabit të Kryeministrit për mbështetje në dialog, si dhe SECO dhe EBRD për mbështetje në sekretariatin për dialogun publik-privat.
Shpërndaj
Zyra e Kryeminisrit