Më 20 nëntor u mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) për vitin 2026, ku përfaqësues të institucioneve publike dhe sektorit privat u mblodhën për të diskutuar mundësitë për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në Kosovë.
Temat kryesore të diskutimit:
1. Energjia diellore dhe ruajtja e energjisë - KIMERK-u prezantoi Programin Kombëtar për Energji Diellore dhe Ruajtje të Energjisë, i cili synon rritjen e prodhimit vendor të energjisë dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Propozimi u diskutua nga ministritë përkatëse dhe përfaqësuesit e sektorit, të cilët u pajtuan që diskutimet të vazhdojnë me synim gjetjen e një zgjidhjeje efektive dhe të qëndrueshme.
2. Infrastruktura industriale dhe ekonomia qarkore - Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit prezantoi rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës industriale dhe promovimit të ekonomisë qarkore, duke theksuar potencialin për transformimin e parqeve ekzistuese në zona eko-industriale, si dhe rëndësinë e këtyre fushave për prodhimin vendor dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve.
3. Draft-Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030 - Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit prezantoi rishikimin e ndërmjetëm të Draft-Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030. U shpjegua se drejtimi i SKZH-së po ruhet, ndërsa po ndryshon mënyra e matjes së rezultateve, duke marrë parasysh kontekstin e ndryshuar dhe zhvillimet që nga viti 2023. Draft-Strategjia është aktualisht në konsultim publik.
Diskutimi i hapur trajtoi edhe tema të tjera që u ngritën nga sektori publik dhe privat, duke theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm publiko-privat për gjetjen e zgjidhjeve që mbështesin zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Shpërndaj
Zyra e Kryeminisrit