Më, 15 tetor 2026 u mbajt Forum diskutimi për avancimin e kornizës ligjore që rregullon shoqëritë tregtare në Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), si dhe institucioneve të tjera publike që ndërveprojnë me shoqëritë tregtare.
Drejtoresha e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë theksoi synimin e Ministrisë për krijimin e procedurave më efikase dhe të një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat. Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit të biznesit në procesin e hartimit të ligjit, përmes kontributit dhe komenteve konkrete mbi draftin sapo të dalë në konsultime publike.
Diskutimet u përqendruan në sfidat që bizneset hasin gjatë regjistrimit, ndryshimit të të dhënave dhe shuarjes së tyre, si dhe në procedurat që rregullojnë funksionimin e degëve, zyrave të përfaqësive dhe kompanive të huaja që investojnë në Kosovë. Pjesëmarrësit trajtuan gjithashtu mangësitë dhe vështirësitë në zbatimin praktik të legjislacionit në fuqi, si dhe çështje konkrete që duhet të adresohen gjatë hartimit të ligjit të ri.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një kornize ligjore të qartë dhe të zbatimit të saj konsistent, si parakushte thelbësore për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërë biznes.
Shpërndaj
Zyra e Kryeminisrit